Na ndiq

Drini

Drini

Përfundon pa ndonjë marrëveshje takimi Thaçi – Vuçiq – Drini

Rajoni

Përfundon pa ndonjë marrëveshje takimi Thaçi – Vuçiq – Drini

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq. Edhe ky takim është lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, njofton REL.

Pas takimit, presidenti serb, Vuçiq, tha se nuk ka dialog me Kosovën përderisa nuk tërhiqet taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 10 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet – të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit”, është shprehur Vuçiq.

🇪🇺 #EU facilitated high level dialogue: HRVP @FedericaMog is now meeting with Presidents @HashimThaciRKS and @predsednikrs @avucic. #Serbia #Kosovo #WesternBalkans pic.twitter.com/VNbT4rtGuq

— Maja Kocijančič (@MajaEUspox) November 8, 2018

Ai ka thënë se nuk ka folur për shkëmbim territoresh asnjëherë, mirëpo do të vazhdojë dialogun për të parë se çfarë fiton Serbia nga ky proces:

“Ne do të diskutojmë shumë gjëra dhe të shohim çka do të fitojë Serbia dhe pasi të shohim çka fiton Serbia, pastaj do të shohim. Nuk kam folur për shkëmbim të territoreve, unë nuk s’kam folur për këtë. Të respektohen marrëveshjet. Sapo të fillojnë t’i përmbushin obligimet që i kanë nënshkruar para 10 vjetëve dhe 5 vjetëve, ne do të diskutojmë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë pas takimit se “kishte plot ballafaqime dhe nuk ishte takim aspak i lehtë”.

“Janë tema aspak të lehta. Ishte takim i radhës i fazës finale të përmbylljes së këtij procesi jashtëzakonisht të vështirë, por interesi i të dyja vendeve është që të përmbyllet me një marrëveshje që siguron njohje reciproke”, ka thënë Thaçi.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që t’i bashkohen atij në këtë proces të dialogut.

“Mbetet të shihet në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat, por mund të them se është sfidë jo e lehtë që të ballafaqohemi me gjithë këtë aparaturë të Serbisë këtu. Do të ishte mirë që i gjithë spektri politik në Kosovë të unifikohet dhe të vijë këtu e të ballafaqohemi. Është momentum, shans historik që të sigurohet njohja e Kosovës nga Serbia”, ka deklaruar Thaçi.

“Unë i kam rezervat e mia, e di se do të jetë vështirë dhe ka një mundësi të vogël për marrëveshje, por duhet të punojmë”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, diskursi i Serbisë në dialog ishte agresiv dhe arrogant, kurse delegacioni i Kosovës, siç ka thënë ai, kishte diskurs të drejtë dhe të balancuar, që nënkupton njohjen reciproke dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në OKB, në BE dhe në NATO.

Ndërkaq, në një komunikatë të Federica Mogherinit për media thuhet se Bashkimi Evropian pret që Prishtina dhe Beogradi të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane.

Në diskutimet e saj me dy presidentët Federica Mogerini theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.

Ata diskutuan për hapat e nevojshëm në rrugën përpara dhe vendosën të mbesin në kontakt të vazhdueshëm në ditët në vijim.

Para takimit, Mogherini tha se pret nga dy liderët që të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha para takimit se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë do të jetë shumë e vështirë. Por, sipas tij, do të bëhen përpjekje që në fund procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do t’u hapë perspektivën të dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Këto komente, Thaçi i bëri në Bruksel, para se të niste takimin me presidentin e Serbisë.

Thaçi tha se po qëndron në Bruksel që të diskutojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë. Sipas tij, arritja e marrëveshjes nuk është e lehtë, por do të bëhen përpjekje maksimale që të përafrohen qëndrimet për të arritur deri te një marrëveshje dy-palëshe me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

“Synimi i Kosovës është që të ndërtojë fqinjësi marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, në këtë drejtim edhe me Serbinë në mënyrë që të ecim përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe të hapim perspektiven globale për shtetin e Kosovës”, tha Thaçi.

Paraprakisht, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka zhvilluar takime ndaras me të dy presidentët.

Fillimisht, Mogherini ka takuar presidentin Thaçi.

“U pajtuam për dinamizimin e dialogut dhe shtimin e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook, pas takimit me Mogherinin.

 Ndërsa më pas, ndaras Mogherini ka zhvilluar takim edhe me presidentin Vuçiq.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prag të takimit të me presidentin e Kosovës, tha se pozicioni i Serbisë është i vështirë.

🇪🇺 #EU facilitated high level dialogue: HRVP @FedericaMog welcomes President @HashimThaciRKS. Brussels, now. #Kosovo #Serbia #WesternBalkans pic.twitter.com/RQjlvyf05f

— Maja Kocijančič (@MajaEUspox) November 8, 2018

🇪🇺 #EU facilitated high level dialogue: HRVP @FedericaMog welcomes @predsednikrs @avucic. Brussels, now. #Serbia #Kosovo #WesternBalkans pic.twitter.com/TfrVGuMx9k

— Maja Kocijančič (@MajaEUspox) November 8, 2018

“Nuk më ofron rehati dhe nuk më pëlqen të bisedoj me Thaçin, por më mirë të bisedojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Kjo është puna ime. Paqja është e rëndësishme. Gjithçka tjetër nuk është për krahasim”, tha Vuçiq.

Takimi ndërmjet dy presidentëve, po zhvillohet vetëm dy ditë pasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur një taksë pre 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky vendim i Qeverisë së Kosovës është kundërshtuar ashpër nga Beogradi zyrtar.

Para këtij takimi, presidenti i Kosovës është kritikuar nga opozita për përfaqësimin e Kosovës në këtë dialog. Sipas opozitës, Thaçi nuk e ka mandatin e Kuvendit që të udhëheqë me procesin e negociatave me Serbinë. Po ashtu, edhe ideja e prezantuar e Thaçit për, siç e quan ai, “korrigjim të kufirit”, nga opozita është cilësuar vetëm si kamuflim i idesë për shkëmbim të territoreve, çka është kundërshtuar ashpër.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Thaçi e Vuçiq e kanë ndryshuar taktikën e takimeve, duke i realizuar ato pa një paralajmërim paraprak. Sipas tij, kjo është hera e parë që për takimin e sotëm në Bruksel, opinioni në Kosovë të njoftohet vetëm një ditë më herët.

“Presidenti Thaçi është në gjendje që të paguajë njohjen e Serbisë me territor të Kosovës”, është shprehur Konjufca. Sipas tij, ky pozicion i Thaçit është i papranueshëm.

Institucionet e Kosovës, pushtet e opozitë, nuk kanë arritur të hartojnë një platformë për dialogun me Beogradin.

Dialogu në Bruksel, është paralajmëruar se po hyn në fazën finale e cila parashihet të prodhojënjë marrëveshje të obligueshme ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë.

Continue Reading
Advertisement
Lexo gjithashtu...

Më shumë në Rajoni

Advertisement

Facebook

Advertisement

Postimet e fundit

To Top